Prishtinë, 2 maj 2025 –

Pas një pune intensive të grupit punues për hartimin e Ligjit për Kooperativat Bujqësore, i themeluar me vendim të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), dhe me mbështetjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë nga Projekti EREA – i zbatuar nga Caritas Zvicra, është finalizuar drafti i këtij ligji të rëndësishëm për sektorin bujqësor në Kosovë.
Ky projektligj është përgatitur mbi bazën e koncept-dokumentit për kooperativat bujqësore, i
cili është miratuar më parë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Më 30 prill 2025, pas
shqyrtimit të komenteve përfundimtare nga anëtarët e grupit punues, drafti i Ligjit për
Kooperativat Bujqësore është dorëzuar formalisht në Zyrën e DSHKT si bartës i këtij ligji, nga
përfaqësuesit e Caritas Zvicra dhe eksperti vendor i angazhuar në kuadër të projektit.
Pas dorëzimit zyrtar, DSHKT e ka përcjellë draft-ligjin për shqyrtim në Departamentin Ligjor të
MBPZHR, për të vazhduar procedurat sipas rregulloreve ligjore në fuqi.
Në takimin e dorëzimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Caritas Zvicra, eksperti vendor,
si dhe përfaqësuesi i Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) – donator i projektit EREA, i cili
ka luajtur rol të rëndësishëm në përkrahjen e këtij procesi.

Nisma për hartimin e një ligji të ri për kooperativat bujqësore ka ardhur si rezultat i analizave të
thelluara mbi nevojat e fermerëve në Kosovë, për të qenë më konkurrues në tregun vendor dhe
ndërkombëtar. Me miratimin e këtij ligji në të ardhmen nga Kuvendi i Kosovës, pritet të krijohet
një mekanizëm i fuqishëm që do të ndihmojë në organizimin më efikas të fermerëve në fusha të
ndryshme si prodhimi, ruajtja e produkteve, marketingu, shitja, dhe ofrimi i një sërë shërbimesh
të tjera mbështetëse.
Ky ligj synon të fuqizojë bashkëpunimin mes fermerëve dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë
dhe konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor në Kosovë.